Luis Enrike nuk mund ta vazhdojë “avazin” e zakonshëm tek Barcelona!

Nuk e kanë bindur as sukseset më të mëdha. Luis Enrike mund të mos jetë trajner i Barcelonës sezonin e ardhshëm, edhe pse nuk ka thënë se do të largohet. Njeriu i trofeve të mëdhenj të vitit 2015 dhe i dy triumfeve të sezonit të kaluar, ende nuk dihet se çfarë do të bëjë me kontratën që i përfundon këtë verë. Pavarësisht sukseseve që nuk mungojnë, sërish ai nuk është bindur që t’i japë edhe një herë dorën presidentit Bartomeu, dhe të firmosë një akord të ri.

Trajneri nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë në stilin e tij. Që kur erdhi në “Kamp Nou” në vitin 2014, ai pranoi të firmoste vetë, kontrata për një sezon, dhe t’i rinovonte ato vazhdimisht. Kulmi u arrit në sezonin e tripletës, kur në 2015 u fitua Championsi, titulli kampion dhe Kupa e Mbretit, dhe kur Luis Enrike pranoi rinovimin vetëm në verë. Barcelona e ka bërë një tolerim të tillë për shkak se Luis Enrike është një njeri i shtëpisë, ashtu siç ishte Guardiola apo siç është Mesi, nga ata që ka të drejtë të votojë për zgjedhjen e presidentit.

Këtë herë, gjithsesi, duket se do të jetë ndryshe, ndonëse nuk kuptohet qartë se përse. Katalanasit nuk duan të jenë në një situatë me sezonet e kaluar dhe mediat raportojnë se është gjetur edhe pasardhësi i mundshëm i trajnerit. Si i tillë jepet Ernesto Valverde, trajner i Atletikos së Bilbaos. Specialisti 52-vjeçar është në stolin e skuadrës baske që nga viti 2013, ndërsa më parë ka qenë edhe trajner i Valencias.