Levandovski nuk dëshiron ta nxjerrë trofeun e Championsit nga shtrati!

Viti 2020 do të mbahet mend si i shkëlqyer, por edhe shumë i vështirë për të. Sulmuesi kryesor i Bajernit, më i miri i Europës, dhe besohet numri 9 më i mirë në qarkullim, fitoi 5 trofe me bavarezët e pret të fitojë të gjashtën, ndërsa nuk garoi dot për Topin e Artë (që quhej ta kishte fituar) dhe nuk iu gëzua dot sa duhet lindjes së fëmijës së tij. Ç’t’i bësh, kohë korone. Robert Levandovski, gjithsesi, mban mend natën e Lisbonës kur triumfoi në finalen e Championsit ndaj Paris SG, duke fituar një trofe që nuk e kishte prekur kurrë më parë, dhe që e kishte humbur në finalen e 2013-ës me Dortmundin pikërisht kundër Bajernit. Atë natë ra vonë në shtrat dhe mori me vete pikërisht trofeun me “veshë të gjatë”. Fjeti me të. Me gjasë, gruaja e tij Ana nuk do të jetë mërzitur që një send prej metali i zuri vendin në shtratin bashkëshortor, madje ajo do të ishte dakord që Roberti të flinte sërish me kupën nëse do ta fitonte!

Sfidanti.al