Klop: Duhen 4 gola, por ndaj Barçës, jemi pa Salahun e Firminon!

Nuk mund të kishte një prag-ndeshje më e keqe sesa kjo për Liverpulin. Humbi 0-3 në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës, ndërsa për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Championsit që do të jetë nesër, nuk do të ketë dy prej lojtarëve kryesorë. Fati i keq goditi në momentin më vendimtar, ndërsa një mungesë kryesore ishte edhe në Spanjë.

“Na duhen 4 gola për t’u kualifikuar ndaj Barcelonës, – tha Klopi në konferencën për shtyp, – por, nuk do të kemi dy prej sulmuesve më të mirë të botës. Roberto Firmino është jashtë për shkak dëmtimi, dhe po kështu Mo Salah, pas përplasjes që pati në fushën e Njukasëllit. Ai ndihet mirë, por nuk mund të jetë në dispozicion për nesër. Mund të luajë vetëm në fundjavë në kampionat”.

Në një moment kaq të vështirë, Klopi nuk e humbi sensin e tij të optimizmit. “Shpresa ekziston sepse jemi në futboll, – u shpreh trajneri gjerman, – as nuk bëhet fjalë që të dorëzohemi. Mungesa e dy prej sulmuesve më të mirë të botës nuk ta lehtëson punën, por përderisa do të kemi 11 lojtarë në fushë, do të përpiqemi”. Salah mund të luajë të dielën ndaj Uolvesit në Premier Ligë, ndeshje që teorikisht mund t’i japë Liverpulit titullin e parë kampion që nga viti 1990.

Sfidanti.al