Kërcënim prangash për lojtarin francez, në prag të Arsenal-PSG-së në Champions

Nuk është vetëm dhuna nëpër rrugë nga ana e tifozëve që kërcënon Ligën e Kampionëve dhe futbollin. Ja një tjetër rast në Champions, ku protagonist del një futbollist, dhe nga ata milionerët. Pragndeshja e sfidës së madhe Arsenal-Paris SG është njollosur nga skandali i futbollistit francez, Serzh Orie (Aurier), i cili nuk është lejuar të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar. Mbrojtësit iu refuzua viza për shkak se u gjet fajtor pasi goditi me bërryl një oficer policie në muajin shtator. Orie u dënua para dy muajsh me 2 muaj burg, por zbatimi i vendimit është i pezulluar përderisa lojtari ka bërë apelim. PSG reagoi ashpër për moslejimin e futbollistit të tij për të luajtur të mërkurën në sfidën e Londrës, duke e quajtur vendimin e autoriteteve britanike si “të pakuptueshëm” dhe që “cënon integritetin e Ligës së Kampionëve”.