Hysaj dëgjoi fjalët e “Perëndisë” në dhomën e zhveshjes në “Bernabeu”

E kishte takuar në qendrën stërvitore të Napolit, e kishte parë edhe në stadiumin “San Paolo” ndonëse nga largësia e fushës me tribunën, por nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë fjalët e tij motivuese. Elseid Hysaj ishte mes atyre lojtarëve me fat të Napolit që u bënë dëshmitarë të një fjalimi motivues të Diego Armando Maradonës. Kjo ndodhi përpara se të dilnin në fushën e stadiumit madhështor “Santiago Bernabeu” të Madridit.

Fjalimi i Maradonës ishte kërkuar nga trajneri Mauricio Sarri, i cili e deshi një dorë ndihmë nga legjenda e Napolit, në mënyrë që skuadra të ishte me zemër të fortë në sfidën e vështirë. Pavarësisht sesa të zjarrta dhe bindëse ishin fjalët e “Perëndisë”, Napoli nuk mundi t’i shpëtonte humbjes. As vetë Diego nuk ia doli kur ishte kapiten i të kaltërve 30 vjet më parë, ndërsa Napoli i atëhershëm u mund 0-2 në “Bernabeu”.

Sfidanti.al