Finalja e Champions League, historia e hidhur e Juventusit që shtoi një tjetër kapitull

Për Juventusin vazhdon mallkimi i finales së Ligës së Kampioneve për Juventusin. Ajo e pësuar ndaj Realit të Madridit në Cardiff ishte disfata e 7 në 9 finale të luajtura për Zonjën e Vjetër dhe e pesta radhazi për të mbetur në kuotën e vetëm 2 titujve kampion të Evropës të fituar në 1996 në Romë ndaj Ajaxit dhe 1985 me Liverpool. Kjo e fundit kujtohet më shumë si tragjedia e Heyselit kur 39 tifozë në tribuna u shtypën nga huliganët angleze gjatë përleshjeve përpara fillimit të kësaj sfide. Triumfi i vitit 1996 erdhi me Marcello Lippin në pankinë në ndeshjen me Ajaxin. Golit të Ravanellit, holandezët iu përgjigjën me Litmanen për rezultatin 1-1 që mbeti i tillë edhe në kohën shtesë duke i detyruar skuadrat që t’i drejtoheshin lotarisë së 11 metërshave duke marrë hakun për finalen e humbur në 1973 pikërisht ndaj Ajaxit. Në 1983, Zonja e Vjetër u ndëshkua nga Hamburgu që fitoi 1-0 me golin e Magath. Në 1997 erdhi një tjetër disfatë dhe këtë radhë ajo që festoi ishte Borussia Dortmund që iu imponua Juventusit 3-1 falë 2 golëshit të Riedle dhe golit të Ricken. Një vit më vonë, Juventusi e pa sërish veten në finale, atë me Realin e Madridit në Amsterdam me spanjollët që fituan falë golit të Mijatovic. Finalja e 2003 ishte e gjitha italiane pasi përballë bardhezninjve ishte Milani i Ancelottit që fitoi pas gjuajtjeve të 11 metërshave  falë pritjeve të Didës dhe saktësisë në gjuajtjen e fundit të Shevchenkos. Në vitin 2015, skuadra e Allegrit pasi eliminoi Realin e Madridit në gjysmëfinale u gjunjëzua në aktin e fundit nga Barcelona 3-1 . Golit të Rakitic, Juventus u përgjij me Moratën, por blaugranat shënuan sërish me Suarez e Neymar. Pjesa e mbetur e historisë është e freskët pasi të gjithë e panë çfarë ndodhi në mbrëmjen e 3 qershorit 2017 në Cardiff.

Sfidanti.al