E kuptoni futbollin hileqar?  Ramos e dëmtoi qëllimisht  Salahun!

Pjesëtari i përfaqësueses egjiptiane, Mohamed Salah, e pagoi shtrenjtë finalen e Champions-it mes Liverpulit të tij dhe Realit të Madridit. Performanca e tij nuk zgjati më shumë se 30 minuta, deri kur dëmtoi shpatullën, ndërkohë që ekipi i tij humbi trofeun dhe ai vetë, ndoshta, edhe pjesëmarrjen në Kupën e Botës Rusi-2018. Salahu, me lot në sy, doli jashtë fushës dhe, sipas informacioneve të para që i konfirmoi edhe trajneri i tij, Jyrgen Klop, ka të ngjarë që ai të mos marrë pjesë në Botërorin e Rusisë. Dislokimi i shpatullës mund të ketë dëmtuar ndonjë ligament që do të ishte gjëja më e keqe, kështu që shanset që ai të marrë pjesë, të paktën, në pjesën e dytë të Botërorit, mund të bëhen vetëm teorike. Informacioni definitiv lidhur me shkallën e dëmtimit të Salahut do të jepet deri në mesjavë.

Bashkatdhetari i Salahut, Mido, mendon se Ramosi e dëmtoi qëllimisht yllin e Liverpulit. “Ai që e njeh futbollin, e kupton se Ramosi e dëmtoi qëllimisht Salahun”, shkroi Mido në profilin e tij në twitter.

Sfidanti.al