Benzema është shpirti i Realit, francezi vrapon drejt rekordeve!

Një kampion i 13-fishtë nuk mund të hiqet qafe aq shpejt. Madridi u tregua Madrid në ndeshjen vendimtare të sezonit deri tani, duke mundur 2-0 Borusian e Mynshengladbahut e duke dalë në vend të parë në grupin e Championsit. Në fushë ishin katër lojtarë që dhanë shembullin, Karim Benzema, Luka Modriç, Toni Kros dhe Lukas Vaskez. Me shumë përvojë tre të parët që i janë rikthyer rinisë.

Karim Benzema shënoi dy golat në minutat 9’ e 32’. Tashmë ai ka 57 gola në Champions për Realin dhe 69 gjithsej duke qenë shumë pranë Robert Levandovskit dhe Raul Gonzalesit që kanë nga 71, në vendet tre dhe katër. Me 527 ndeshje për Realin, Bemzema barazoi Roberto Karlosin, që mban rekordin për lojtarët jospanjollë në këtë klub. Sipas të gjitha mundësive, Benzema do të mbërrijë ish-legjendën Miçel në vendin e 10-të të të gjitha kohëve që ka 559 ndeshje, ndërsa shumë pranë është Pirri me 561, apo edhe Hoze Kamaço me 577.

Ai ka 257 gola gjithsej për Realin. Sulmuesi francez është në vendin e 5-të për të gjitha kohëve, një arritje e shkëlqyer në një klub kaq të madh, ku Kristiano Ronaldo mban rekordin me 450 gola në vetëm 438 ndeshje, ndërsa më pas janë Raul me 323, Di Stefano me 308 dhe Santiliana me 290. Benzemasë i duhen ende 33 gola për të mbërritur legjendën e fundit.

Sfidanti.al