Barça-Man. Siti, sfida e Championsit vlen 1 miliardë euro

Historia më e bukur është rikthimi i dytë i Guardiolës në shtëpinë e tij të vërtetë, por Barcelona-Mançester Siti është në radhë të parë sfida mes dy formacioneve të rëndësishëm. “Tregu i futbollit” thotë se gjithsej vlera e futbollistëve të përballjes së sotme në “Kamp Nou” arrin shifrën 1 miliardë euro. Kaq kanë qenë “harxhet” e katalanasve dhe anglezëve në vitete fundit. Gazeta madrilene “Marka” bën edhe një llogari ndryshe. Ajo përzgjedh 11-in më të shtrenjtë mes dy skuadrave rivale, njëmbëdhjetësh që vlen 551 milionë euro.

Ja ky formacion: Bravo (Siti, 16 milionë), Vidal (Barça, 18 milionë), Stouns (Siti, 56 milionë euro), Otamendi (Siti, 45 milionë), Dinje (Siti, 16.5 milionë), Arda Turan (Barça, 40 milionë), Fernandinjo (Siti, 40 milionë), De Brujn (Siti, 76 milionë), Stërling (Siti, 60 milionë), Suarez (Barça, 81 milionë), Nejmar (103 milionë).

Ky është formacioni i parave, ndërsa ekipi më i mirë sportiv do të kishte në përbërje padyshim lojtarë të tillë si Zhordi Alba, Pike, Iniesta, Mesi apo Aguero.

E sigurt është që në “Kamp Nou” sot do të jetë një spektakël. Nuk mund të ndodhë ndryshë kur skemat i bëjnë trajnerët Luis Enrike e Pep Guardiola, dhe kur në fushë luajnë dy ekipe që lojën sulmuese e kanë të shenjtë.

B. Kuka