Bajerni i shqetësuar për Hernandezin, Rumenige i shqetësuar për Bajernin!

Ndodh rrallë që Bajerni të fitojë dhe atmosfera të mos jetë e mirë. Suksesi 3-2 në Greqi ndaj Olimpiakosit forcoi pozitat në krye të grupit, por u shoqërua me dëmtimin e francezit Lukas Hernandez, si edhe lëndimin e mesfushorit Havi Martinez. Një tjetër problem i madh për trajnerin Niko Kovaç, që është pa qendërmbrojtësin tjetër Niklas Zyle, dhe ka pak alternativa.

“Natyrisht që është një goditje për ne, – tha Kovaç, – fola me mjekun tonë dhe shpresojmë që të mos mungojë gjatë. Një pafatësi e vërtetë për Hernandezin dhe për Bajernin, por do të vazhdojmë me lojtarët që kemi”.

Tabloidi “Bild” ishte gjithashtu tepër i shqetësuar. “Një tjetër tronditje në mbrojtje, – shkruajti e përditshmja gjermane, – Bajerni duhet të mbetet gjatë pa Hernandezin. Rumenige foli qartë se ky do të jetë një problem për ekipin”.

Në Pire, kampionët e Gjermanisë u ndihmuan nga dy gola të Robert Levandovskit, dhe një rrjetë shënuar nga Toliso, që zëvendësoi Martinezin pas pushimit. Sipas traditës, skuadra bavareze u grumbullua në një darkë të përbashkët, me t’u kthyer nga Greqia në Mynih, duke dëgjuar kritikat e shefit ekzekutiv, Rumenige.

“Nuk mendoj se do të kemi sukses këtë sezon me lojën që zhvilluam sot, – tha ai, – pati shumë pakujdesi, pavarësisht fitores. Gjithsesi, pati reagim dhe kjo është pozitive. Më vjen keq për Hernandezin, dhe duhet të bëjmë diçka për mbrojtjen”. Bajerni ka 9 pikë të plota, ndaj 4 të Totenhemit që mundi 5-0 Crvena Zvezdën e Beogradit.

Sfidanti.al