Analiza e Championsit, Halandi eklipsoi Mbapenë dhe Nejmarin!

Ishin përballë dhe sporti e ka këtë të mirë, që gjithçka tregohet në fushë. Është një garë, jo një vlerësim jurie, dhe fituesi në “Signal Iduna Park” e kishte emrin Erling Haland. Sulmuesi 19-vjeçar shënoi dy gola për Dortmundin në portën e Paris SG, ndërsa përballë tij Nejmar realizoi vetëm një herë, dhe Mbape asnjë.

Adoleshenti u bë kryefjala e ndeshjes së Championsit, duke qenë me 10 gola shënuesi më i mirë i kompeticionit, në një nivel me Robert Levandovskin e Bajernit. Ai shënoi dy rrjeta të ndryshme, dhe tregoi se është një sulmues i kompletuar, që di të luajë edhe pranë, edhe larg zonës kundërshtare. Në një moment, ai i habiti të gjithë duke vrapuar nga zona e tij në atë kundërshtare për 6.64 sekonda, diçka që duhet ta ketë admiruar edhe sprintieri Kilian Mbape. Nuk dihet nëse Halandi do të mjaftojë që Dortmundi të kualifikohet në Paris, por është e qartë se ai mund të quhet sensacionii i sezonit. Me 39 gola këtë edicion, nga të cilët 28 për Salburgun, dhe 11 për Dortmundin, 19-vjeçari norvegjez është zbulimi i vitit.

Sfidanti.al