Alegri me sportivitet para Seviljes: Shpresoj t’i mundim!

Sevilja kryeson dhe është favorite për vendin e parë në grup. Nuk do të jetë e lehtë mbrëmja për Juventusin në Champions, pasi skuadra e madhe italiane kalon turin vetëm me fitore. Sidomos, nëse dëshiron të dalë e para në renditje. Trajneri Alegri nuk duket shumë i shqetësuar edhe pse mungojnë emra të njohur si Higuain, Markizio, Dibala, Pjaca apo Benatia.
“Luajmë ndaj një skuadre që nuk ka pësuar ende gol në grup, pra që kryeson pa asnjë humbje dhe shpresojmë të jemi ne që t’ia shkaktojmë humbjen e parë, – shprehet ai, – Sevilja është një skuadër shumë e fortë sidomos në nivelin ofensiv, në goditjet standarde, pasi ka lojtarë të fortë fizikisht. Sevilja luan në sulm, dhe bën shumë presion, edhe pse në fazën mbrojtjëse mund ta godasim”.
Juventusi kualifikohet nëse fiton, ose nëse Lioni nuk ia del në fushën e Dinamos së Zagrebit. Nga ana e saj, Sevilja kualifikohet dhe zë vendin e parë në grup nëse merr tri pikët.