Alegri ka frikë vendin e dytë, CR7-ta “humb” ditën e pushimit

Nëse Juventusi do ta kishte siguruar vendin e parë, ose nëse ai vend nuk do të  ishte kaq shumë i rëndësishëm, Kristiano Ronaldo do të kishte pushuar mbrëmjen e sotme. Masimiliano Alegri, si përherë, është tepër i çiltër, deri në çarmatosje.

“Dua që të luajmë një tur të dytë më të qetë, – u shpreh ai, – për këtë na duhet vendi i parë, pra normalisht na duhet fitorja. Nëse do të ishte ndryshe, CR7-ta do të pushonte ndaj Jang Bojsit”. Trajneri juventin thotë se kështu si kanë ardhur punët, nëse ekipi del i dyti rrezikon të ndeshet në raundin tjetër me Barcelonën, Realin, Bajernin, Sitin apo Paris SG.

Nga fusha sintetike e Jang Bojsit, Alegri ka vetëm një frikë, dëmtimin e mundshëm të Xhorxho Kielinit, të cilin vendos ta lerë pushim, ashtu si edhe Aleks Sandron, që do të luajë që nga minuta e parë në derbi. Emre Xhan do të ketë më shumë minuta, por si zëvendësues.

Titullarë pritet të jenë Shezni, De Shilio, Bonuçi, Rugani, Kanselo, Pjaniç, Betankur, Kuadrado, Dagllas Kosta, Ronaldo dhe Dibala (ose Manxhukiç).

Sfidanti.al