Ceferin i mrekulluar: Maqedonia duhet të luajë në Evropian!

Aleksandar Ceferin, njeriu nr.1 i “shtëpisë” evropiane (UEFA), i shoqëruar nga drejtori teknik i saj, Marko Van Basten, vizitoi, këto ditë, Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), ndërsa mori pjesë edhe në inaugurimin e një objekti të ri hotelier sportiv që ndodhet në qendrën stërvitore “Petar Miloshevski” të Shkupit. Në fjalën që presidenti i UEFA-s mori në ceremoninë e rastit, ra në sy mbështetja që ai i dha presidentit të Federatës së lartpërmendur, Ilço Gjorgjioski, duke vënë në dukje se Maqedonia ka një “shans të bukur” që të luajë në kampionatin evropian të ardhshëm.

“Për mua, është nder që unë ndodhem në Shkup, pasi këtu unë, gjithnjë, ndjehem mirë. Dua që të përshëndes FFM-në që, e mbështetur nga UEFA, ka bërë projekte të mëdha për zhvillimin e futbollit në këtë vend, ku janë rinovuar tre stadiume, duke përfshirë arenën “Filipi i Dytë” që ishte mikpritëse e Superkupës fantastike të UEFA-s mes Realit të Madridit dhe Mançester Junajtidit. Maqedonia ka kushte për progresin e futbollistëve të rinj, pasi numri i terreneve sportive po rritet dhe infrastruktura po zhvillohet, ndërkohë që, së shpejti, ne do të nisim realizimin edhe të projektit të katërt “Hat-trick” të UEFA-s.

Futbolli i të rinjve është prioritet për të gjitha federatat kombëtare, por Maqedonia ka bërë një hap më shumë sesa të tjerët. Ekipi U-21 i saj luajti në turneun final të Evropianit të të rinjve, ndërsa ekipet U-19 dhe U-17 marrin pjesë në fazat elitare. Po ashtu, FFM-ja ka ngritur edhe Akademinë për Futbollistët e Rinj, pasi në këtë vend ka mjaft talente. Në Ligën e re të Kombeve, Maqedonia, ndodhet në një pozicion mjaft të mirë në Grupin D. Unë i thashë Ilços se, tani, nuk ka më vend për alibi, pasi Maqedonia ka një shans të bukur që të luajë në Evropianin e ardhshëm”, vuri në dukje presidenti i UEFA-s. Në sezonin e parë të Ligës së Kombeve që përmendi Ceferini dhe që fillon në shtator, Maqedonia ndodhet në grup me Armeninë, Lihtenshtainin dhe Gjibraltarin. Sikurse dihet, ekziston shansi që nga Liga e Kombeve të shkohet direkt në Evropianin e vitit 2020.

Sfidanti.al