Tomas Mylerin mund ta dojë Solskjeri, por Bajerni ka gati kontratën!

Në Mynih kanë nxitim të bëjnë gati tre marrëveshje të reja. Bëhet fjalë për kapitenin Manuel Nojer, për bavarezin “24 karatësh” Tomas Myler dhe për mbrojtësin David Alaba. Ish-presidenti Uli Hënes, një njeri që ishte në brendësi të asaj që ndodhte tek Bajerni, thotë i sigurt se klubi do të arrijë sukses dhe do të ketë tre kontrata të reja, për t’i mbajtur në ekip tre lojtarët e rëndësishëm. Po ashtu, trajnerit Hansi Flik mund t’i jepet kontrata e re, ndoshta e firmosur me stilolapsin që i dhuroi shefi ekzekutiv, Rumenige, pas fitores 3-0 në Londër ndaj Çelsit.

Me rëndësi veprimi i shpejtë për Tomas Mylerin, pasi 30-vjeçari ishte (dhe mbetet) në shënjestër të Mançester Junajtidit, me trajnerin Solskjer që e kishte pjesë të një “pakete” prej 3 përforcimesh për ta bërë skuadrën e tij pretendente për titullin kampion në Premier Ligë.

“Unë nuk dua të them ndonjë gjë konkrete apo të jap këshilla, – u shpreh Hënesi për televizionin “Sport1”, – i takon bordit ekzekutiv të vendosë. Mendoj se Hansi Fliku ka bërë një punë të shkëlqyer deri tani, dhe mendoj se shpejt do të ketë bisedime me të”. Pritet që tek Bajerni, të ketë rinovime edhe për Zherom Boatengun, Tiago Alkantarën dhe Havi Martinezin.

Sfidanti.al