Tomas Myler, “fshatari-rekordmen” që lumturon Bajernin

Luajti vetëm 2 minuta në Lisbonë, por ato i mjaftuan për një shifër të madhe. Tomas Myler u bë me 100 ndeshje në Ligën e Kampionëve, një nga futbollistët më të aktivizuar në histori. Sulmuesi 29-vjeçar, që u la në stol nga trajneri Kovaç, u lavdërua shumë prej shefit ekzekutiv, Rumenige. “Nëse vazhdon kështu, do të thyejë çdo rekord”, – tha “Kalle”.

Mylerit i duhen edhe 3 ndeshje për të mbërritur Oliver Kahnin, ndërsa Filip Lahm ka 112 takime të tilla. Po ashtu, ai është mbi Robert Levandovskin për numrin e golave në Champions, me 42 ndaj 29. Asnjë lojtar aktual i Bajernit nuk e ka veshur më shumë fanelën bavareze sesa ai, në të gjithë kompeticionet së bashku. Myler ka 446 takime, ndërsa rekordin e mban Oliver Kahn me 632. Po ashtu, Tomasi ka 178 gola për Bajernin, duke qenë 39 gola prapa Rumeniges, ndërsa Myleri “i vjetër”, Gerdi, është i paprekshëm, me 508 rrjeta për bavarezët.

Sfidanti.al