Timo Verneri, një tjetër “eksport” i lirë dhe i mirë nga Bundesliga!

Çelsi mund të shpenzojë nga 50 deri në 60 milionë euro për të, dhe kjo nuk është ndonjë shumë e jashtëzakonshme në tregun e futbollit, kësokohe. Duke lënë mënjanë periudhën pas marsit 2020 për shkak të koronavirusit, vlerat e kartonëve janë rritur shumë në futboll, por ajo për Timo Vernerin nuk mund të quhet tepër e madhe. Kështu ndodh zakonisht me lojtarët e Bundesligës, ku kultura popullore është e tillë që i urren çmenduritë e transferimeve apo të çmimeve të biletave.

Zakonisht, “eksportet” e kampionatit gjerman kanë qenë të lira dhe të mira, siç ndodhi me Granit Xhakën që u largua për 43 milionë euro, Obamejangun për 64 milionë tek Arsenali, Leroi Sanenë për 50 milionë euro tek Siti, Kristian Pulishiçi për 64 milionë tek Çelsi, Nabi Keitanë për 68 milionë tek Liverpuli apo Kevin De Brujnin për 75 milionë tek Siti. Deri tani shumë pak kanë dështuar, dhe ende jo siç duhet është Luka Joviç që Reali e mori për 60 milionë euro, e sidomos Usman Dembele që u pagua 105 milionë euro nga Barcelona.

Sfidanti.al