Shyrrle? Ky është fati i njerëzve të ndjeshëm në futboll, kujtoni Daslerin!

Kur shkoi në Brazil me kombëtaren gjermane, ndjeu lumturinë e vërtetë që mund t’i jepte futbolli. Andreas Shyrrle e pati më shumë me kënaqësi të grumbullohej për një muaj në vendin e largët të Amerikës së Jugut, të luante në një ambient që iu duk i qetë, dhe siç thotë ai “ndryshe nga rrokopuja e përditshme e futbollit të klubeve”.

Ndoshta, që në atë kohë, Shyrrle ndihej pak si pensionist futbolli, ndërsa goditjen e fortë e mori tek Çelsi i Murinjos në 2013-2015, kur iu mërzit profesioni. “M’u duk sikur rashë në një gropë të thellë”, – komenton ai sot, ndërsa lajmeron largimin nga futbolli. Gjermani 29-vjeçar nuk ka më pasionin e dikurshëm, dhe thotë se “në sport duhet të japësh maksimuminm çdo herë, këtu nuk ka vend për dobësi”.

Pra, Shyrrle e mbylli herët, ish-lojtar i Maincit dhe i Dortmundit me Tomas Tuhelin, 57 herë me fanelën e Gjermanisë dhe shënues i 22 golave, por edhe i goditur nga mediat si “kampion i botës i rënë nga vakti”. “Këto fjalë më goditën fort, – shprehet Shyrrle, – ose je hero, ose je budalla, diçka të mesme nuk paska”. Duket qartë se ai është një njeri i ndjeshëm, jo edhe aq i prerë për të qenë në futbollin profesionist deri në moshën 35-vjeçare.

Pak a shumë si Sebastian Daisleri, talenti i krahut të djathtë të Hertës, kombëtares gjermane dhe Bajernit, por që në Mynih pati fatin e keq të dëmtimeve, dhe të depresionit, duke i dhënë fund karrierës në moshën 27-vjeçare.

Sfidanti.al