Sandro Vagner është Levandovski i ri për Bajernin

Ende nuk është në nivelet e polakut, por padyshim që është rrugës. Sandro Vagner nuk është se premton shumë me moshën që ka (30 vjeç), por sidoqoftë, bavarezët po fërkojnë duart që do ta kenë në “Alianc Arena” edhe sezonet e ardhshme. Sulmuesi i kombëtares shënoi dy golat e parë në fitoren me përmbysje, 5-1, ndaj Borusias së Mynshengladbahut, dhe u ngjit në kuotën 11 këtë sezon të Bundesligës.

Levandovski mbetet në një “planet” tjetër, pasi kryeson renditjen me 27 “perla”, shënuar fiks në 27 ndeshje, ndërsa përfitoi nga largimi në janar i konkurrentit kryesor, Obamejang të Dortmundit. Vagner nuk është shumë larg golshënuesit të dytë më të mirë të kampionatit, Kevin Folandit që ka realizuar 14 herë, por duke luajtur 28 takime, ndaj 21 të sulmuesit të Bajernit.

Bavarezët e festuan me fitore titullin e arritur javën e kaluar, duke pasur 75 pikë në 30 javë, e duke shënuar 81 gola gjithsej. Hajnkes besohet se është prekur disi që mposhti thellë ish-ekipin e tij, Gladbahun, ndërsa më shumë i emocionuar duhet të ketë mbetur nga fakti se po i vjen fundi karrierës së tij si trajner.

Sfidanti.al