Rumenige dhe “aristokracia punëtore”, alarm nga sindikata e re e lojtarëve!

U duk si rrufe në qiell të pastër lajmi i dhënë nga revista “Kiker” për krijimin e një tjetër bashkimi të futbollistëve në Gjermani. Një Bashkim Profesional, sipas zhargonit shqiptar të dikurshëm, një sindikatë, sipas përdorimit më të gjerë të sotëm, apo një Bashkim Pune, sipas traditës amerikane. Rreth 70 lojtarë të ligave të ndryshme profesioniste janë krijues të “Bundesit” të ri, dhe aty bëjnë pjesë emra të njohur si Humels, Bender, Lute, Petersen, Subotiç, Gonter, Riman, Shefler, Ajhan e të tjerë. Parashikimet janë që në këtë sindikatë do të ketë më shumë se 100 anëtarë, ndonëse në futbollin gjerman ekziston një Shoqatë e Lojtarëve.

Duket se kriza e koronavirusit nxorri në shesh probleme të mëdha, mosmarrëveshje, dhe lojtarët e aktivizuar së fundmi vendosën të merrnin fatin e tyre në duart e veta. “Kjo është e vetmja mënyrë për të bërë një diferencë”, – thotë Andreas Lute i Augsburgut. Shoqata e Vjetër e lojtarëve nuk ka dalë hapur kundër të resë, por i shqetësuar është shfaqur shefi ekzekutiv i Bajernit, një legjendë si Karl-Hajnc Rumenige. “E kuptoj dhe e pranoj pjesërisht unionin, – tha ai, – medalja ka dy faqe, jo vetëm kërkesa e të drejta, por edhe detyrime”. Rumenige nuk duhet të shqetësohet, pasi Humelsi me shokë nuk do të bazohen në opinione për të vepruar. Ekulibrin mes të drejtave dhe detyrave, do ta gjejnë duke u ndeshur sy më sy me njerëz si Rumenige.

Sfidanti.al