Rroftë Levandovski, Bajerni kalon në Mainc dhe arrin Lajpcigun!

Rasenball Lajpcigu nuk ka luajtur ende, por Bajerni i tha se “unë jam këtu”. Një përballje që në letër duhej fituar me autoritet nisi keq, por përfundoi siç duhet në Mainc. Vendasit shënuan të parët në portën e bavarezëve, në ndeshjen hapëse të javës së 13-të të Bundesligës. Kordoba priti vetëm 4 minuta. Gjithsesi, me një nga sulmuesit më të mirë të botës në fushë, formacioni i Karlo Ançelotit i pati të gjitha shanset. Robert Levandovski barazoi në minutën e 8-të dhe Arjen Roben përmbysi shifrat po brenda pjesës së parë (21′). Në pjesën e dytë ndeshja mbeti e hapur dhe vetëm në sekondat përmbyllëse, Levandovski shënoi një tjetër rrjetë, këtë herë për 3-1. Klas i vërtetë nga ana e polakut, pasi e dërgoi topin në rrjetë direkt nga goditja e dënimit. Me këtë sukses, Bajerni u ngjit në kuotën e 30 pikëve, po aq sa Lajpcigu, që do të luajë më pas. Dueli është edhe me golat, pasi bavarezët kanë bilancin 29-9, ndërsa gjermanolindorët 27-10.