Nuk pati mrekulli të Kupës së Gjermanisë në Paderborn!

Ish-ekipi i Alban Mehës nuk ia doli. Nuk kishte sesi përballë Bajernit, edhe pse Kupa e Gjermanisë, ashtu si ajo e Anglisë, shpesh herë e pranojnë fjalën “mrekulli”. Paderborni i kategorisë së tretë doli jashtë me kokën lart në çerekfinale, edhe pse u mund 0-6 në stadiumin e tij. Në katërshe shkoi Bajerni, ndonëse trajneri Jup Hajnkes bëri një “krasitje të shëndoshë”.

Hajnkes e di se është trajner me fat që ka mundësi të hedhë në fushë një formacion të fuqishëm kur mungojnë kaq shumë yje si Nojer, Tiago Alkantara apo Boateng për shkak dëmtimi, ndërsa për zgjedhje rotacioni lihen në stol Rafinja, Bernat, Rudi, Toliso, Riberi e Vagner. Përballë Paderbornit, sidoqoftë emrat ishin imponues.

Ulraih, Kimih, Zyle, Humels, Alaba, Vidal, Tomas Myler, Hames Rodrigez, Roben, Koman, Levandovski, ky ishte ekipi i titullarëve që triumfoi 6-0 me gola të shënuar nga Koman, Levandovski, Kimih, Toliso (si zëvendësues) dhe Arjen Roben (dy herë). Holandezi “fluturues” po shkëlqen edhe në kupë, ndonëse 34-vjeçar, ndërsa në Bundesligë ka shënuar 93 gola e ka shërbyer 62 asistë në 180 ndeshje.

Sfidanti.al