Një titull vërtet fantazmë, Bajerni nuk feston dot me gratë as si kampion!

Karl-Hajnc Rumenige e bëri të qartë dhe tregoi se çfarë skenari do të jetë të shtunën. Kampionët vërtet e mbrojtën titullin dhe e fituan për herë të 8-të radhazi, por ata nuk mund ta kremtojnë si herët e tjera. Pasi u brohorit në autobus, ndërsa ktheheshin në Bavari, yjet do të kenë një festë të vogël pas ndeshjes ndaj Frajburgut. Jo “lumë birre”, por vetëm fanela me numra të mëdhenj “8”, duartrokitje e ndonjë përqafim, dhe një darkë gjithashtu e vogël.

“Për fat të keq, gratë nuk mund të jenë në festë, – tha shefi ekzekutiv, – jemi në kohë koronavirusi, dhe duhet të ruhemi”. Rumenige vlerëson sezonin shumë të mirë në Bundesligë. “Ne patëm një dobësi gjatë rrugës, por edhe rivalët nuk arritën të shkëputeshin mjaft nga ne, – deklaroi legjenda bavareze, – më pas, në timon erdhi Hansi Fliku dhe anija mori kursin e duhur”.

Sfidanti.al