Nga Bajerni tek Bajerni, Dortmundi 26 herë pa humbje në shtëpi!

“Signal Iduna Park” mund të quhet një fortesë. Stadiumi me mesataren e shikuesve për ndeshje më të lartë në Gjermani, dhe besohet edhe në Europë e në Botë, është mburoja më e mirë për skuadrën e vet, Borusian e Dortmundit. Verdhezinjtë e Bundesligës kanë 26 ndeshje radhazi që nuk humbasin në fushën e tyre në kampionatin gjerman dhe synojnë ta vazhdojnë këtë ecuri. Ka qenë pikërisht Bajerni, i fundit që ka fituar aty, në 4 prill 2015 me golin e ish-idhullit të tifozëve, Robert Levandovski. “Grenzat” e trajnerit Tomas Tuhel janë tepër të rrezikshme në ish-“Vestfalenshtadion”, ndërsa kanë humbur pikë jashtë, duke u ndodhur tani 6 pikë dhe 5 pozicione poshtë Bajernit. Një fitore do të ndryshonte shumë gjëra.
Spektakli, gjithsesi, duket i garantuar me dy skuadra të forta, dhe në prani të 80 000 spektatorëve. Dortmundi nuk e ka potencialin e Bajernit, me shumë lojtarë të larguar dhe pa emrin e madh të bavarezëve që i sigurojnë një buxhet të jashtëzakonshëm. Megjithatë, përshtypja është që në Gjermani është pikërisht Dortmundi që mund t’ia dalë ndaj Mynihut, me dy klubet që kanë krijuar një rivalitet emocionues që nga vitet e Jurgen Klopit.