Në Bundesligë mund të mungosh edhe kur të vdes vjehrri!

Shpesh ka histori të ndryshme me prindërit e gruas apo të burrit, por rasti i trajnerit të Unionit të Berlinit, Urs Fisher, është ndryshe. Pesëdhjetekatërvjeçari nuk do të jetë në stol, ndërsa ekipi i tij do të luajë të dielën në orën 18:00 ndaj Bajernit, në ristart të Bundesligës, pikërisht sepse vjehrri i tij ka ndërruar jetë. Mediat gjermane shkruajnë se Fisheri ishte shumë i lidhur me të, pra me babanë e gruas së tij prej shumë kohës, Sandrës, i cili u shua në një klinikë në Zyrih të Zvicrës. Edhe tani, ndërsa ekipi stërvitej, Ursi shkoi shpesh ta shihte në spital. Klubi i Unionit të Berlinit gjithashtu e ngushëlloi thellësisht trajnerin, duke e ditur lidhjen e tij me vjehrrin.

Presidenti Dirk Cingler (Zingler) tha se “ne i shprehim gjithë ngushëllimet familjes së Fisherit, dhe jemi pranë saj në këtë kohë të vështirë”. “Stafi teknik e ka pranuar këtë situatë, dhe janë përqëndruar në përgatitjen e ndeshjes, – vazhdoi ai, – gjithsesi, ne shpresojmë që trajneri ynë të kthehet sa më shpejt për të punuar me skuadrën”. Në të vërtetë, Fisheri e mori rrugën për në Berlin, por duhet të bëjë dy teste për koronavirusin, meqë ka qenë në udhëtim dhe ka ardhur nga një shtet tjetër, ndaj ai nuk mund të jetë në stol ndaj Bajernit.

Sfidanti.al