Nagelsman, suksesi i trajnerit që refuzoi Bajernin e Mynihut!

Gjermania dhe futbolli i saj po njohin një fenomen të ri në 10 vitet e fundit. Trajnerë rioshë dalin nga “anonimiteti” dhe bëhen personalitete brenda pak kohësh, duke shkëlqyer në Bundesligë dhe në Europë. I fundit në radhë është Julian Nagelsman, 29-vjeçari në stolin e Hofenhahmit, që sezonin e kaluar e shpëtoi ekipin nga rënia në Bundesligën e dytë, dhe këtë edicion po vazhdon veprën e tij “çudibërëse”. Natyrisht, nuk ka ndonjë çudi që një trajner i zoti, edhe pse i ri, mbështetur tek një klub i organizuar, plus me ndikim të fatit, po bën gjëra të mëdha.
Nagelsman është pasardhësi i traditës së Jurgen Klopit dhe Tomas Tuhelit. Këta të dy e nisën nga Mainci dhe vazhduan tek Dortmundi, ndërsa 29-vjeçari e filloi tek Augsburgu, për të shkuar tek TSV 1860 Mynihu dhe tani me Hofenhajmin, duke refuzuar një ofertë të Bajernit për të qenë pjesëtar stafi. Gjithsesi, lidhja me “të përngjashmit” ekziston pasi ishte Tuhel që e mori në staf tek Augsburgu.
Rrallë mund të ketë futbollist më fatkeq se Julian Nagelsman, i cili u detyrua ta mbyllte karrierën në moshën 20-vjeçare për shkak të dëmtimeve kronike. Veçse, dashuria për këtë sport dhe aftësia potenciale si trajner bënë të vetën dhe ai sot, në moshën 29-vjeçare, ka shumë përvojë në këtë profesion. Portieri Tim Vize e përkufizon shumë qartë atë, duke e quajtur “Murinjo Bebe”, ndërsa vetë Juliani thotë se ndryshe nga Tuhel, ai është më shumë motivues sesa takticien: “Nëse di gjithçka për taktikën, por je idiot në marrëdhëniet shoqërore, nuk do të kesh kurrë sukses”.
B. Kuka