Myler i lumtur pas Dortmundit: Do pak emocion fitorja e titullit

Borusia e Dortmundit duket se i ka bërë një nder të madh futbollistëve të Bajernit të Mynihut. Për herë të parë që nga epoka e Jurgen Klopit, verdhezinjtë i kanë dhënë një betejë bavarezëve, dhe po i bëjnë që të djersijnë për të arritur objektivin. Pas 6 titujve radhazi, të fituar përgjithësisht me komoditetin maksimal, kampionët po ndjejnë një konkurrencë të fortë, madje janë në vendin e dytë, por kjo sikur nuk po i bën të ndihen keq.

“Kështu duhet luftuar për titullin, – thotë Tomas Myleri, – kështu duhet fituar titulli. Duhet të dridhemi më shumë, të kemi më shumë emocion. Tashmë, jemi kthyer në rolin e “gjahtarit”, diçka që të jep ndjesi të veçanta”. Dortmundi është 6 pikë përpara Bajernit, pas 17 ndeshjeve të fazës së parë të Bundesligës, ndërsa Myleri komenton: “Do të jetë një ëndërr që të shpallemi kampionë në javën e 34-ët, dhe ndjenja do të jetë krejt e ndryshme në krahasim me vitet e tjera”.

Ndërsa skuadra e trajnerit Niko Kovaç stërvitet në motin e ngrohtë të Dohës, në Lindjen e Mesme, shoku u Mylerit, mbrojtësi Niklas Zyle, thotë shkurt: “Asnjë prej nesh nuk dyshon se do të dalim kampionë, kjo thjesht për faktin se ne kemi skuadrën më të mirë”.

Sfidanti.al