Luks i paparë kur në Bavari del i tepërt një..Myler

Asi i dikurshëm gjerman Lotar Mateus ka lënë një gjurmë të thella në “kontinentin e vjetër” në vitet ‘80-’90 të shekullit të kaluar, sidomos, kur mbante të veshur bluzën e Bajernit të Mynihut, të cilën e mbajti, gjatë dy periudhave, 1984 deri në 1988 dhe nga 1992 deri në 2000. Kjo, sigurisht, që është edhe arsyeja se ai e njeh shumë mirë gjendjen në ekipin gjigant të Mynihut që edhe në këtë sezon, megjithëse nuk është shumë bindës, sidoqoftë, arriti rezultate të mirë në pjesën e parë të tij. Megjithatë, një lojtar atë e ka zhgënjyer sivjet dhe ky është Tomas Myleri, për të cilin Mateusi thotë se për të nuk ka vend në formacionin e parë të Ançelotit që luan sipas skemës 4-2-3-1.

“Kam mendimin se do të jetë shumë e vështirë për Mylerin që të kthehet në 11-shën e parë në pjesën e dytë të sezonit. Me të vërtetë, mendoj se për të nuk ka ndonjë pozicion që t’i përgjigjet atij në formacionin e Ançelotit. Robeni është një opsion më i mirë sesa ai në pozicionin e krahut të djathtë, ndërkohë që Bajerni nuk luan me sulmues të dytë. Ekipi luan me një lojtar ofensiv në mesfushë, mbas Levandovskit, dhe unë mendoj se Tiago Alkantara është lojtar ideal për këtë pozicion. Ai është shumë më elastik sesa Myleri”, shkruan Mateuesi në kolonën e tij në “Blid”. Në fakt, Myleri, në pjesën e parë të sezonit, ka shënuar vetëm një gol në 13 ndeshje të Bundesligës që do të thotë se ai duhet të përmirësohet mjaft, në rast se do që ta rifitojë besimin e Ançelotit.

Sfidanti.al