Levandovski në kërkim të rekordeve, sezoni më i mirë i jetës

Nëse do të kishte luajtur gjatë gjithë karrierës në Gjermani, ndoshta do të mund të synonte edhe rekordin e paprekshëm të Gerd Mylerit. Robert Levandovski arriti në 211 gola në Bundesligë, fare pranë Burgsmylerit dhe Jup Hajnkesit, ndërsa i mbeten larg 268 rrjetat e Klaus Fisherit dhe 365 goditjet e Mylerit. Sidoqoftë, me tre sezone më shumë polaku do të kishte qenë tani ndoshta baraz me Fisherin, dhe në moshën 31-vjeçare, ku i dihet, mund ta mendonte mbërritjen e “Bomberit të Kombit”.

Levandovski është kthyer në një lloj “Mesi” për Bajernin, pasi golat e tij këtë sezon kanë fshehur edhe ndonjë problem. Jo më kot ka realizuar 9 herë në 5 ndeshje, dhe falë tij kampionët janë vetëm 2 pikë larg kreut që e mban Lajpcigu. Sulmuesi polak u tregua edhe tepër fisnik kur lejoi Filip Kutinjon të gjuante penalltinë, ndonëse mund të kishte arritur një tregolësh.

“Unë dua që të ndihmoj shokët e mi të skuadrës, – tha Leva më pas, – Filipi është një lojtar i madh”. Trajneri Niko Kovaç ishte i lumtur sidomos për vazhdimësinë dhe formën fizike. “Nuk e ndjemë lodhjen pavarësisht se luajtëm dy ndeshje në 72 orë, – tha ai, – kjo tregon se jemi në formë. Fitorja mund të kishte qenë edhe më e thellë, por edhe aq ishte mirë”.

Sfidanti.al