Levandovski i pakënaqur me gjyqtarët pas Superkupës

Shënoi 3 gola, dhe Bajerni i tij triumfoi 5-0, madje në stadiumin e kundërshtarëve. Gjithsesi, në futbolli paska vend për pakënaqësi edhe në ditët më të lumtura, dhe kështu po ndodh me Robert Levandovskin. Sulmuesi polak ka sulmuar gjyqtarin e Superkupës së Gjermanisë, pasi ka lejuar lojë të rëndë nga rivalët dhe nuk i ka dhënë një penallti.

“Leva” foli me gojën e agjentit të tij, Maik Bartel, i cili shkroi në Tuiter. “Ku ishin specialistët e teknologjisë së videove? – ishte pyetja e agjentit, – ishte faull i qartë, penallti e qartë, karton i kuq i qartë, por asgjë nuk ndodhi”. Edhe drejtori sportiv i Bajernit, Hasan Salihamixhiç, komentoi se “Abrahami (lojtari që bëri ndërhyrjen) është një djalë shumë i mirë, por në atë moment bëri ndërhyrje të gabuar”.

Në minutën e 70-të, David Abraham (kapiteni i Frankfurtit), ndaloi në zonën e rreptësisë me faull Levandovskin, dhe e goditi me bërryl në fytyrë. Gjyqtari nuk e pa skenën, dhe po ashtu nuk u këshillua me specialistët e videove.

Sfidanti.al