Legjendat e Gjermanisë sulmojnë Federatën: Burokratë dhe avokatë!

Këto janë fjalët e thëna nga kampioni i botës i vitit 1990, Tomas Bertold, pasi nga DFB-ja iu dërgua një letër ku informohej se nuk do të merrte më ftesa falas për aktivitetet e Federatës (ndeshje të kombëtares etj.), por do të merrte bileta me 30 për qind zbritje. “Unë jam në programin e legjendave të FIFA-s dhe UEFA-s, ndaj nuk më tërheqin shumë aktivitetet e DFB-së, por mund të theksoj vetëm se nuk është mirë që kaq shumë avokatë dhe burokratë të pushtojnë Federatën”.

Bertoldi e ka fjalën për Sekretarin e Përgjithshëm, Fridrih Kurtius dhe mbajtësi i thesarit, Dr. Stefan Osnabryge. Letra e tyre mban datën 6 mars, dhe nuk u prit mirë nga shumë prej kampionëve të botës të 1990-ës. Lotar Mateusi, ish-kapiteni, theksoi se “unë mund të pranoj të blej bileta për ndeshjet e kombëtares, pa problem, por mënyra sesi po e bëjnë këtë gjë është acaruese”. Jurgen Kohler nuk frenohet kur thotë se “ky është një absurditet absolut, nuk është çështje biletash falas, por vlerësimi, kjo letër më duket hipokrite”. Andreas Brehme, autori i golit të vetëm në finalen e Botërorit 1990 ndaj Argjentinës, i bie shkurt: “Mendimi i parë që pata kur lexova letrën ishte se nuk do të shkoja më, në ndeshjet ndërkombëtare”. Në DFB thonë se duan të ekuilibrojnë shpenzimet, por duket se letra po bën efektin e kundërt.

Sfidanti.al