Kutinjo “pro” apo “kundër”, Kovaç mbron brazilianin e Bajernit!

Nuk dihet nëse do të jetë në formacion në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë, këtë të martë, por gjithsesi për të po flitet shumë. Është Filip Kutinjo në qendër të vëmendjes, pavarësisht nëse luan në Liverpul, Barcelonë apo Mynih, dhe pas lavdërimeve “pa doganë” tani sikur po dalin “mbi ujë” edhe kritikat. Thuhet se braziliani nuk po jep aq sa duhet, nuk po bën mrekullitë që priteshin prej tij, dhe trajneri Niko Kovaç e pa të udhës të bëhej “mburojë”.

“Filipi, si lojtar dhe njeri, gjithnjë vendos veten në shërbim të kolektivit, – tha kroati, – shumëkush pret magji prej tij, dhe ai bën të tilla, në ndeshje apo stërvitje, por ata harrojnë se ai bën edhe gjëra të tjera. Ai vrapon shumë, ndonëse kjo nuk duket. Kritikët flasin vetëm për pjesën ofensive. Unë jam shumë i lumtur me të”.

Deri tani, Kutinjo ka qenë 8 herë radhazi titullar, dhe ka luajtur 11 ndeshje deri tani, me 801 minuta, me dy gola dhe pesë asistë. Ai ka luajtur 314 minuta për Brazilin dhe do të luajë sërish, si dhe do të udhëtojë shumë. Kovaç mund të jetë i detyruar të aktivizojë Leon Goreckën në vend të tij (apo Tomas Mylerin?), por gjithsesi le të shohim se çfarë do të ndodhë këtë të martë në ndeshjen e Kupës në fushën e Bohumit.

Sfidanti.al