Kush thotë se  Hajnkesi është “plakur”? Batuta e tij s’ka moshë…!

Jup Hajnkesi u kthye nga pensioni që ta merrte, edhe një herë tjetër, drejtimin e Bajernit të Mynihut dhe tani po e udhëhëq atë me siguri drejt trofeut të ri në Bundesligë, ndërkohë që në Champions ka hedhur një hap të madh para drejt gjysmëfinales, pasi ndeshjen e parë e fitoi 1-2 ndaj Seviljes. Ky është mandati i tretë i Hajnkesit te Bajerni, ku ai ka arritur dhe po arrin rezultate të lartë. Për nga natyra, ai është një njeri simpatik që di të tregojë edhe anekdota. Ja se çfarë tregoi ai, dje, në prag të ndeshjes me Augsburgun, duke i bërë të gjithë që të qeshin.

“Në mëngjes, kur unë po zbrisja për në holl, në ashensor hyri edhe një çift të moshuarish. Gruaja vuri re se unë kisha logon e Bajernit tek jaka e xhaketës dhe më tha; ‘Shiko, shiko, ju qenkeni  tifoz i Bajernit! Dhe unë iu përgjigja: Po, sigurisht .. ndjek cdo ndeshje”, tha, duke qeshur trajneri i lavdishëm i klubit bavarez dhe duke i bërë për të qeshur edhe të pranishmit në konferencën e shtypit.

Sfidanti.al