Kimih, Gnabri, Riberi, ja më të mirët e Bajernit në 2018

Nuk ka vlerësim më të mirë dhe më të saktë sesa ai i publikut. Tifozët e Bajernit (ndoshta edhe të tjerë) “folën” në një sondazh të gazetës “Bild” për lojtarin më të mirë të vitit tek bavarezët, por po ashtu edhe për lojtarin e ri të 2018-ës, dhe “plakushin” numër 1 për këto 365 ditë.

Pasi u mblodhën dhe u numëruan 92 712 vota, më i miri i 2018-ës për tifozët doli Xhoshua Kimih. Mbrojtësi i djathtë 23-vjeçar, u provua nga trajneri Niko Kovaç edhe në mesfushë dhe ia doli mirë, ndërsa mori 35 për qind të votave. Në këtë sezon, ai ka luajtur për 90 minuta në 25 nga 26 ndeshjet gjithsej. Jo larg tij ishte fituesi i trefishtë në të kaluarën, Robert Levandovski me 30 për qind.

Lojtari i ri më i mirë i vitit doli Serzh Gnabri me plot 74 për qind të votave, një vlerësim vërtet tepër i lartë, ndërsa “plakushi” i 2018-ës ishte 35-vjeçari Frank Riberi që mblodhi 64 për qind të pëlqimeve të publikut.

Sfidanti.al