Karlo Ançeloti, gati t’i bëjë një dhuratë Dagllas Kostës!

Të mërkurën vjen ndeshja super e vështirë ndaj Lajpcigut dhe u duk se yjet e Bajernit e kishin mendjen tek ajo. Padyshim, edhe tek përfundimi i një gjysmë sezoni të lodhshëm, veçse edhe lojtarët e mëdhenj ndonjëherë bëjnë gabime. Bavarezët harruan se kishin për të luajtur në fushën e Darmshtatit, përballjen e parafundit të vitit në Bundesligë. Gjithçka thuajse i doli nga hundët pasi skuadra e trajnerit Karlo Ançeloti po luante nën mesataren e saj, dhe nuk po entuziazmonte aspak. Për fat, në fushë ishte braziliani i marrë nga Shahtari i Donjeckut, Dagllas Kosta, i cili shpiku golin e fitores me një të majtë të fuqishme që zuri në befasi vendasit. Trajneri i bavarezëve me siguri ka menduar t’i bëjë ndonjë dhuratë tani për Krishtlindje.
“Dagllas Kosta gjeti zgjidhjen, – tha Ançeloti më pas, – ai na shpëtoi në një ndeshje ku nuk po luanim mirë, ndonëse gjithë meritën për vështirësitë tona e pati Darmshtatit”. Ka nga ata që thonë se trajneri italian kërkon të mos e lodhë shumë skuadrën derisa të vijë muaji mars dhe faza vendimtare e sezonit. Ndoshta, kanë të drejtë, por Ançeloti duhet të ketë në çdo ndeshje të dobët ndonjë lojtar si Dagllas Kosta që të gjejë zgjidhje.