Humelsi iku nga Bajerni prej Kovaçit, po me Favrenë ç’ka te Dortmundi?!

Shpesh thuhet se kur fillojnë të të lenë gjunjët, nis e merresh me llafe. Nuk dimë qartë nëse është ky rasti i Mats Humelsit, por lajmet nga Gjermania thonë se mbrojtësi veteran nuk i ka marrëdhëniet të mira me trajnerin e tij tek Dortmundi, Lysien Favre. Vetë Humelsi i ka hedhur poshtë këto zëra, duke i quajtur gënjeshtra e spekullime, por nëse do të “gërmojmë” pak më shumë në të kaluarën, do të zbulojmë se ai u largua nga Bajerni, ndërsa u tha se nuk i kishte punët mirë me trajnerin Niko Kovaç.

Mediat theksuan se qendërmbrojtësi u përpoq të krijonte “komplot” kundër kroatit. Po ashtu, nuk duhet harruar se Humelsi ishte një nga 3 lojtarët e Bajernit që u lanë jashtë kombëtares së Gjermanisë nga trajneri Joakim Lëv, bashkë me Zherom Boatengun dhe Tomas Mylerin. U bënë tre raste, a thua që të gjithë të jenë rastësi dhe të mos kenë lidhje me njëri-tjetrin? Po tek Dortmundi çfarë po ndodh? Humelsi u shpreh për gazetarët duke kritikuar sistemin taktik të Favresë, duke thënë se “le të luajmë ndryshe, do të ishte më lehtë të bënim presion me 4-1-4-1, unë mendoj kështu”. Më pas, veterani deklaroi se “nuk ka diferenca me trajnerin, kjo nuk ka logjikë”.

Sfidanti.al