Humels, një gjerman që flet për Anglinë, Klopin dhe birrën!

Mats Humels është një nga mbrojtësit më të mirë të rruzullit, tashmë i adhuruar nga tifozët në Mynih, por i urryer nga ata në Dortmund. Çështje tifozësh dhe kulture futbolli, ndërsa kampioni i botës me Gjermaninë, ka dhënë një intervistë ekskluzive për mediat britanike, ku ka folur për shumë tema. Së pari, për fatin se në 2014 thuajse nënshkroi për Mançester Junajtidin, ndonëse pati edhe oferta të tjera.
“U bënë shumë bisedime, – u shpreh ai, – në 2013 dhe në 2014, Junajtid dhe klubet e mëdhenj nga Spanja. Veçse, ofertat spanjolle ishin gjithnjë të përgjithshme, mua nuk më pëlqejnë gjëra të tilla. Ishte ndryshe Junajtid. Van Gal më kërkoi me këmbëngulje”. Gjithsesi, në karrierën e tij fati ishte që të luante me Bajernin. Në të vërtetë Humels është bavarez dhe ka lindur në Mynih, madje karrierën e nisi tek Bajerni, ndaj edhe kur u largua nga Dortmundi, u kthye në shtëpi.
Një bavarez nuk mund të mendohet pa Oktoberfestin, pra Ditën e Birrës. Humelsi nuk është i tillë. “Unë nuk pi birrë, – thotë 27-vjeçari, – jam rritur me Oktoberfestin, por nuk birrën nuk e pëlqeva kurrë. Pi ndonjëherë, ndonjë gotë xhin, por gjithnjë vetëm një gotë, ndërsa pi shumë ujë”. Tema tjetër për mbrojtësin gjerman është Jurgen Klop. Ish-trajneri i Dortmundit ka pasur një ndikim tepër të madh tek ai. “Nuk e di nëse do të kisha arritur kaq lart nëse nuk do të kishte qenë ai, – thotë Humels, – ai ishte gjithnjë emocional, në stërvitje, në ndeshje, kudo. Në çdo moment. Dinte edhe t’i kërkonte falje lojtarit kur bënte gabime, qoftë vetëm për vetëm, qoftë në sy të skuadrës”.