Halandi, ngatërresa me trajnerin Favre dhe lavdet për Mukokon!

U bë lojtari më i ri në historinë e Bundesligës që shënon 4 gola në një ndeshje. As edhe vetë Gerd Myleri apo Karl-Hajnc Rumenige nuk ia kishin dalë 20 vjeç, ndërsa tek Dortmundi u bë pasardhës i Pjer-Emerik Obamejangut. Erling Haland ishte në qiellin e “katërt” në duelin e djeshëm në Berlin ndaj Hertës, por do të kishte dashur të shënonte më shumë, pra që të mos ishte zëvendësuar.

Por, trajneri Favre ia bëri këtë “të keqe” pesë minuta para fundit, duke hedhur në fushë Jusufa Mukokon, dhe norvegjezi zbulon bisedën që bëri më pas me zviceranin. “Trajneri më pyeti pas ndeshjes sa gola shënova, ndoshta 3, – tha ai, – Iu përgjigja se shënova 4, por do të kisha shënuar më shumë nëse ai nuk do të më kishte zëvendësuar”.

“Ai do të shënojë shumë më tepër gola, – u shpreh Favre, – është e vërtetë që unë i ngatërrova golat e tij, sepse ndjek aksionin dhe shikoj pasimet më shumë sesa golat”. Një tjetër rekord u vendos nga Dortmundi në Berlin. Ishte minuta e 85-të kur Jusufa Mukoko hyri në fushë në vend të Halandit, duke u bërë debutuesi më i ri në historinë e Bundesligës, në moshën 16 vjeç e një ditë.

Të premten, ai festoi ditëlindjen, duke përmbushur kushtet për të qenë në ekipin e parë, sipas rregullave të Federatës Gjermane. “Ai është talenti më i madh në botë, – vlerësoi Halandi, shokun e tij adoleshent, – unë kam shumë dëshirë që të luaj krah tij. Mukoko është një lojtar shumë i fortë, dhe të mendosh se është 16 vjeç, kjo është e pabesueshme. Ai ka një karrierë të madhe përpara vetes”. Në renditjen e Bundesligë, Dortmundi ka 18 pikë, një më pak se Bajerni kryesues.

Sfidanti.al