Gati ndryshimi i “dinastisë” tek Bajerni? Mateus kritikon Hënesin

Nuk kanë qenë kohë të qeta në Mynih së fundmi, dhe duket se një ndryshim i rëndësishëm është në prag. Zgjedhjet presidenciale do të jenë vitin tjetër dhe Uli Hënes, “Ataturku” i Bajernit, sipas të gjitha gjasave, do t’ia lerë stafetën dikujt tjetër. Jo vetëm kaq, por nuk pritet të jetë një kalim i paqshëm pushteti, por me shenja lufte.

Lotar Mateus, një nga legjendat bavareze, e kritikoi pa doreza presidentin e sotëm, duke e quajtur faktor përçarjeje. “Normalisht, – tha ai, – presidenti duhet thjesht të përfaqësojë klubin. Ai (Hënesi) flet shumë për futbollin teknikisht, diçka që nuk është puna e tij. Mendoj se në një situatë të tillë, sa më pak të flasë për këtë, aq më mirë është”.

Javët e fundit, Hënesi ka qenë në qendër të problemeve, pasi në Asamble ai u kritikua nga aksionerë të klubit dhe nga tifozë, sidomos për trajtimin që i ka bërë legjendës së Bajernit, Paul Brajtner. Po ashtu, intervista e tij e paradokohëshme, ku foli tepër keq për Huan Bernatin, nuk la përshtypje aspak të mirë. Pritet që Oliver Kahn të pasojë “bosin” veteran dhe kritikat e shumta ndaj tij, tregojnë se do të kemi një ndryshim të rëndësishëm të “dinastisë”.

Sfidanti.al