Enigma e madhe quhet Hakimi, e mban Reali apo e merr Bajerni?!

Vlera e tij e vërtetë kuptohet nga fakti se në Madrid e kanë nën kontratë, dhe që u përzgjodh Lojtari i ri më i mirë i vitit në Afrikë. Nuk janë gjëra të vogla këto, ndërsa po i rëndësishëm është fakti se ai ka fituar vlerësime të larta me lojën në Bundesligë, me fanelën e Dortmundit. Borusia, megjithë respektin dhe heroizmat e saj, besohet se do të jetë thjesht një “stacion tranzit” për marokenin 21-vjeçar. Që prej vitit 2018, ai është i huazuar në “Signal Iduna Park” dhe e ka shfrytëzuar siç duhet mundësinë, duke shkëlqyer në krahun e djathtë, por edhe majtas, qoftë në rol mbrojtës, apo sulmues.

Besohet se Bajerni ia ka hedhur sytë dhe ka bërë një pyetje në Madrid, por nga Spanja thonë se trajneri Zinedin Zidan dhe presidenti Perez nuk duan të mbeten pa një lojtar në moshë të re, shumë të talentuar, dhe që shihet si zëvendësuesi i Dani Karvahalit. Për momentin, Zidan pohon se Hakimi do të përfundojë huazimin 2-vjeçar në Gjermani, ndërsa në verë do të shihet se çfarë do të bëhet.

Sfidanti.al