“El Klasiko” Bajern-Dortmund, ja parashikimet e legjendave gjermane

Dikush sheh Bajernin si favorit, dikush tjetër e quan ndeshje jo përcaktuese, një i tretë vlerëson se bavarezët dinë t’i luajnë sfida të tilla, pavarësisht gabimeve që kanë bërë deri tani. Legjendat e Bundesligës flasin për duelin për titull të së shtunës (18:30), mes Bajernit dhe Dortmundit në “Alianc Arena” të Mynihut, ndeshja më e bukur e futbollit gjerman.

Paul Brajtner (në foto), njeriu që dha aq shumër për bavarezët, është thuajse në rolin e tifozëve. “Bajerni është favorit në çdo ndeshje, pavarësisht se me kë luan, se ku luan, dhe se në çfarë vendi është në tabelë, – shprehet ai, – rëndësi ka që të mos ketë presion. Fituesi do të jetë kampion që të shtunën, dhe fituesi do të jetë Bajerni”. Gjithsesi, Brajtneri pohon se “nëse klubet e tjerë në Bundesligë, do të punonin si Bajerni e Dortmundi, kampionati do të ishte më shumë cilësor”.

Ish-portieri legjendar i Bajernit dhe i Gjermanisë, Zep Majer, mendon pak më ndryshe. “Vitet e fundit, Dortmundi nuk ka qenë kaq pranë Bajerni sa tani, – theksoi kampioni i botës i vitit 1974, – gjithsesi, asgjë nuk do të vendoset të shtunën, sido që të dalë ndeshja”. Otmar Hicfeld, ish-trajner me të dyja skuadrat vlerëson se “Dortmundi ka skuadër konkurruese, të uritur, që më në fund e kanë titullin si synim të qartë, dhe që nuk kanë pasur shans kaq të mirë që nga viti 2012”.

Gynter Netcer, legjenda e Mynshengladbahut të viteve 70-të, pret “një ndeshje shumë interesante, me goditje të dyanshme, me Dortmundin pak në avantazh, diçka që u pëlqen tifozëve”. Netceri thotë se nëse Dortmundi fiton, do të dalë kampion. Lotar Mateus, ndërkaq, thotë se “kur Bajerni është nën presion luan më mirë, sepse i njeh më mirë këto ndeshje”. “Bajerni mund të fitojë për shkak të avantazhit të fushës, por asgjë nuk do të vendoset”, – thotë ish-kapiteni bavarez.

Sfidanti.al