Dortmundi e Lajpcigu “me pushime”, Rashica e Verderi në telashe!

Natyrisht që fajin e kanë pasur vetë deri tani, pavarësisht se çfarë ndodhi këtë javë në Bundesligë. Verderi i Bremenit, pra edhe Milot Rashica, janë në telashe të mëdha sepse, ndërsa skuadra e Veriut u mund nga Bajernit, dy rivalët në luftën për mbijetesë morën pikë. Mainci sikur iu largua përfundimisht rrezikut me fitoren 2-0 në “Signal Iduna Park” ndaj Dortmundit vendas, ndërsa Fortuna e Dyseldorfit mori një pikë të mirë në fushën e Lajpcigut.

U duk se Borusia dhe Red Bulli i kishin nisur pushimet para kohe, ndoshta edhe sepse gara për titull përfundoi me suksesin e Bajernit. Trajneri Favre kishte hedhur në fushë thuajse të gjithë lojtarët kryesorë, që nga Byrki në portë, Pishçek, Humels, Xhan, Hakimi, Brant, Vicel, Gerrero, Sanço, Hazar e Haland. Më mirë se kaq nuk mund të ishte, por kjo nuk mjaftoi dhe Mainci triumfoi me golat e shënuar nga Burkhart në 33’ dhe Zhan-Filip Mateta (penallti) në 49’. Manci ka 34 pikë ndaj 28 të Verderit dhe 29 të Dyseldorfit. Ky i fundit barazoi 2-2 në fushën e Lajpcigut, edhe pse u ndodh në dizavantazh 0-2. Kampl e Verner shënuan për vendasit në pjesën e dytë, por miqtë reaguan në fund, me anë të Skrzibskit në 87’ dhe Hofmanit në minutën e dytë shtesë.

Në javën e ardhshme, Verderi shkon pikërisht në fushën e Maincit, një ndeshje që duhet ta fitojë, ndërsa Dyseldorfi pret Augsburgun. Në javën e fundit, Verderi pret Këlnin dhe Dyseldorfi shkon në fushën e Unionit të Berlinit, që mund të thuhet se e ka siguruar Bundesligën.

Sfidanti.al