Dortmund, sa kohë do të duhet të durosh pa kapitenin Rojs?!

Ndeshja nuk është kaq shpejt, vetëm të dielën pasdite, por “prognoza” është që tani e zezë. Borusia e Dortmundit do të duhet të bëjë sërish pa kapitenin Marko Rojs, ndërsa do të presë Leverkusenin, ditën e fundit të kësaj jave, në orën 18:00. Sulmuesi, i dëmtuar që në 5 shkurt ndaj Verderit, nuk ia doli në “garën me kohën”, edhe pse riaftësimin u përpoq ta bënte shpejt, me ushtrimet e duhura dhe me ngritjen e peshave.

Kapiteni nuk ishte sërish në stërvitje me shokët dhe mediat gjermane e japin të pamundur që ai të bëhet gati për Leverkusenin. Jo më kot 29-vjeçari quhet “kapiteni i domosdoshëm” për Dortmundin, pasi në mungesë të tij, kryesuesit e Bundesligës patën dy barazime, 3-3 me Hofenhajmin në shtëpi dhe 0-0 në fushën e Nyrembergut të vendit të fundit. Më e keqja, pësuan disfatën e rëndë, gati eleminuese, 0-3 ndaj Totenhemit në Champions.

Trajneri Lysien Favre ka edhe dy lajme të tjera të këqija, por edhe një lajm të mirë. Mbrojtësi i djathtë, Lukash Pishçek nuk bëhet gati për të dielën dhe po ashtu mesfushori Delanei. Të paktën, kthehet në ekip mbrojtësi zviceran, Manuel Akanji. Sa për kapitenin Rojs, ka mundësi që ai të mos jetë as të premten e ardhshme, në ndeshjen ndaj Augsburgut në Bundesligë.

Sfidanti.al