Dhimbje koke për Bajernin në prag të duelit me Verderin

Lojtarë që dëmtohen dhe futbollistë që kthehen nga dëmtimi, por që nuk janë të sigurt për të luajtur. Kjo është gjendja tek Bajerni, një ditë para duelit të Bundesligës ndaj Verderit. Trajneri Niko Kovaç u shqetësua jo pak nga dëmtimi muskulor që pësoi Hames Rodrigez në stërvitje, duke u detyruar ta mbyllte më shpejt seancën se shokët. Prania e kolumbianit në skuadër për Bremenin është në dyshim, ndërsa Kovaçi foli me trajnerin e amatorëve, Holger Zaic, duke aktivizuar në stërvitje lojtarin me origjinë shqiptare, Meritan Shabani. Nuk dihet nëse Shabani do të ketë shans të luajë ndaj Verderit.

E sigurt është që do të mungojë portieri dhe kapiteni Manuel Nojer, ndërsa Mats Humels ka bërë përmirësime, por ende nuk mund të thuhet nëse do të jetë gati për të shtunën. Humels u stërvit me topin të enjten, por Kovaçi nuk dëshiron të rrezikojë. Në ekip është gati të rikthehet Korenten Toliso. Francezi, kampion i botës, mungon që në shtator pas dëmtimit të rëndë, por tani mund të jetë ndoshta një alternativë. Trajneri kroat thotë se “nëse në ekip do të kemi më pak se 16 lojtarë, ai do të thirret padyshim”. Bajerni kryeson kampionatin me 1 pikë më shumë sesa Dortmundi.

Sfidanti.al