Bajerni në alarm, yjet bëjnë “grevë” sepse duan blerje të mëdha!

Nuk mund të pretendosh majën, kur nuk ke fuqinë e duhur, pra këtë nuk mund ta bëjë as Bajerni. E kuptoi mirë vjet kur u eleminua “pa ceremoni” nga Liverpuli në turin e dytë të Championsit, ndërsa po e ndjen presionin tani, madje “brenda shtëpisë”. Mediat shkruajnë se disa nga lojtarët kryesorë po i kërkojnë me ngulm drejtuesve që të afrojnë futbollistë cilësorë për të përballuar konkurrencën me ajkën e Europës.

Robert Levandovski u shpreh pas humbjes me Arsenalin se “duhet të shpresojmë që të ketë afrime të reja, sepse kemi nevojë për to, që të fitojmë Championsin”. Xhoshua Kimih ka deklaruar gjithashtu se “duhet të blejmë për të qenë kandidatë në Europë, sepse deri tani kemi vetëm 17 lojtarë në skuadrën e parë, dhe kjo është pak”. “Gjithë bota e di sesa pak lojtarë kemi në skuadër, dhe kjo nuk është mirë”, – shtoi Levandovski. Kapiteni Manuel Nojer, ndërkaq, është shprehur me anë të agjentit të tij se po mendon largimin nëse gjendja nuk ndryshon.

Karl-Hajnc Rumenige, njeriu që premtoi blerje të mëdha që në pranverë, është i detyruar të mbrohet dhe të japë sigurime. “Unë e di se durimi nuk është një cilësi që e gjen shpesh në futboll, – tha ai, – por, afati për të marrë lojtarë është deri në 2 shtator, unë nuk jam aspak i shqetësuar”.

Sfidanti.al