Bajerni humb testin 2-5, por trajneri Flik i qetë: Qëllimi ishte tjetër!

Ndoshta nuk u bëri mirë që u kthyen nga vendet e ngrohta të Gjirit Persik në të ftohtin e Gjermanisë. Padyshim pati edhe arsye të tjera, por gjithsesi kur Bajerni humbet 2-5, qoftë edhe një ndeshje përgatitore, tronditje ndihet së brendshmi. Kjo disfatë e rëndë u pësua në testin e luajtur në fushën e Nyrembergut të kategorisë së dytë, prova e parë pas kthimit nga Katari. Natyrisht, bavarezëve u mungonin 6 lojtarë, nga të cilët në sulm nuk ishin Levandovski, Koman dhe Gnabri.

Nga emrat e njohur ishin Nojer, Kutinjo apo Tomas Myler, dhe pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, me Frein që shënoi për vendasit, dhe Dejvisin për kampionët. Pas pushimit, në fushë hynë vetëm lojtarë të rinj dhe “Bildi” thekson me shaka se shuma e numrave në fanela arriti në 314! Nyrembergu fitoi 5-2 dhe presidenti Oliver Kahn si dhe shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, ikën nga stadiumi në minutën e 70-të. “Ndeshja kishte qëllim tjetër, – tha trajneri Flik, – ne patëm një javë stërvitjeje intensive dhe një udhëtim të gjatë një ditë më parë. Nuk jam i kënaqur me rezultatin, por pjesa e parë pati gjëra që më pëlqyen. E rëndësishme, që asnjë lojtar nuk u dëmtua”.

Sfidanti.al