Bajerni, gati 200 milionë euro shpenzim në verë!

Mediat gjermane iu përgjigjën shpejt shefit ekzekutiv të Dortmundit, pas fjalëve që ky tha se “Bajerni mërzitet më shumë kur e shpërfill, dhe unë e kam injoruar prej kohësh, madje do të vazhdoj ta bëj”. Vetëm një ditë pas intervistës së Vackes, Dortmundi vetëm barazoi 3-3 në Bundesligë, në fushën e vet ndaj Hofenhajmit, ndërsa Bajerni triumfoi 3-1 ndaj Shalkes.

“Vacke, ti nuk mund ta injorosh më Bajernin”, ishte titulli i gazetës “Bild”, e cila informon edhe se Dortmundi duhet të bëjë kujdes nga bavarezët në sezonin e ardhshëm. Lajmet janë që klubi kampion i Gjermanisë ka në plan të shpenzojë deri në 200 milionë euro në verë për t’u përforcuar. Presidenti Hënes dhe shefi ekzekutiv, Rumenige, e kanë të qartë se skuadra do të ketë ndryshime, pasi Riberi e Roben janë në fund të karrierës, e po ashtu disa lojtarë kanë pasur dëmtime si Boatengu, Humelsi, apo edhe Nojeri e Tomas Myleri.

Pritet, pra, revolucion në verë në Mynih, dhe trajneri Niko Kovaç, që shpreson të konfirmohet në detyrë, ta ketë më të lehtë për ta kthyer sërish Bajernin superfuqi të Bundesligës, dhe kandidat të fortë për të fituar Championsin.

Sfidanti.al