Bajerni është Bajern, por edhe Lajpcigu është Lajpcig!

E kush do ta kishte menduar që Uli Hënes të kishte thënë se “rivali ynë është Lajpcigu”. Ishin, madje, fjalët e tij të para pasi doli nga burgu dhe u bë president i Bajernit. Veçse, e vërteta është pikërisht kjo, dhe gjermanolindorët nuk patën dëshirë të dorëzonin armët në rifillimin e Bundesligës. Fitore 3-0 në shtëpi ndaj Ajntrahtit të Frankfurtit, dhe shkurtim i diferencës me kreun sërish në 3 pikë.

Marvin Komper shënoi që në 6’, pastaj Timo Verner në 45’ dhe Hesus Vajeho shkaktoi autogol në portën e tij në 67’. Nuk duhet harruar se Frankfurti luajti me 10 lojtarë që në minutën e 3-të, pasi doli me të kuqe Lukas Hradecki. Lajpcigu ka 39 pikë ndaj 42 të Bajernit, ndërsa ka shënuar më pak gola sesa bavarezë, 34 ndaj 40, veçse rivalët e tjerë janë larg. Në vendin e tretë, Hofenhajmi me 31 pikë.

Sfidanti.al