Bajerni drejt titullit, “korracata” e Kovaçit erdhi në formë pas Championsit

Asnjë gabim nuk lejohet në këtë moment. E dinte mirë këtë gjë Bajerni, ndërsa luante ndaj Verderit në ndeshjen e javës së 30-të të Bundesligës, ndërsa dueli me Dortmundin për titull, vazhdon. Skuadra nga Bremeni erdhi në “Alianc Arena” në formë të mirë, me shumë rezultate pozitive radhazi, dhe ia bëri shumë të vështirë kampionëve për të marrë fitoren.

U desh të pritej minuta e 75-të që mbrojtësi i qendrës, Niklas Zyle, të gjente rrugën e rrjetës për t’i dhënë fitoren dhe tri pikë shumë të rëndësishme ekipit të trajnerit Niko Kovaç. Sukses i madh, në një përballje ku bavarezët patën disa mungesa si portieri dhe kapiteni Nojer, mbrojtësi Humels apo mesfushori sulmues Hames Rodrigez. Verderi, i mbështetur edhe tek shqiptari i Kosovës, Milot Rashica, u përpoq shumë dhe rezistoi mirë, por u godit nga dalja me të kuqe e Millosh Veljkoviçit në minutën e 58-të.

Gjithsesi, Bajerni e meritoi fitoren, pasi dominoi ndeshjen dhe bëri lojën. Jo më kot gjuajti 28 herë drejt portës mike, ndaj vetëm 3 gjuajtjeve të Verderit. Pas këtij triumfi, kampionët në fuqi kryesojnë Bundesligën me 70 pikë ndaj 66 të Dortmundit, që do ta luajë këtë të diel ndeshjen e vet.

Sfidanti.al