Bartomeu pranon: Kemi folur me Interin për Lautaron, por bisedimet janë ndalur

Afati i pagesës së klauzolës së kontratës së Lautaro Martinez ka skaduar prej një jave dhe për Barcelonën mënyra e vetme për të marrë argjentinasin është që të vijojë bisedimet, por ato janë lënë pezull dhe këtë e pranon edhe vetë presidenti i klubit katalanas, Josep Maria Bartomeu.

‘Para disa javësh folëm me Interin  për Lautaro Martinez, por tani për tani bisedimet janë ndërprerë. Jemi në një fazë studimi-tha Bartomeu në një intervistë për TV3

Megjithatë duket se kjo situatë nuk e shqetëson shumë Bartomeun.

‘Merkatoja e ardhshme e transferimeve do të jetë shumë e vecantë-vijoi Bartomeu-të gjithë klubet më të rëndësishëm do të jenë të kufizuar nga problemet ekonomike të krijuar nga pandemia, por ne do të jemi gjithnjë protagonistë në merkaton e transferimeve.

Në Spanjë, vazhdon të ekzistojë bindja se Lautaro Martinez në fund të korrikut apo në fillim të gushtit do të shkojë te Barcelona teksa të gjithë besojnë te akordi i arritur mes klubit dhe futbollistit për një kontratë me 60 milionë Euro në 5 vjet. Por optimizmi iberik po has në murin e vullnetit zikaltër për të mbajtur argjentinasin në Appianon Gentile dhe ai do të lejohet të largohet vetëm për të famshmen ‘ofertë tunduese’ që korrespondon me 90 milionë Euro cash dhe një futbollist të përfshirë në operacion që pëlqehet nga stafi teknik i Antonio Contes. Kjo edhe për faktin se zyrtarisht vetë Lautaro nuk u ka komunikuar drejtuesve të Interit dëshirën për t’u larguar.

Sfidanti.al